Një ngjarje e rëndë e shënuar më 7 korrik, rreth orës 00:15, në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, tronditi të gjithë vendin. Një 27-vjeçar vdiq po në vendin ku u arrestua nga Policia e Kosovës, raporton GazetaDemos.
Agon Zejnullahu, vdiq pak minuta pasi u arrestua për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, nën ndikimin e alkoolit. Pamjet që i publikuam nga momenti i arrestimit, çuan në këmbë institucionet, teksa qytetarët kundërshtuan ashpër reagimin e pjesëtarëve të PK-së.
PAMJE EKSKLUZIVE: Momenti i arrestimi
Me këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), supsendoi nga detyra pesë pjesëtarët e Policisë, pjesëmarrës në rastin e lartëcekur.
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se si pasojë e incidentit, ka lëshuar urdhrin për masën e arrestimit, nën dyshimet se pesë pjesëtarët policorë kanë kryer veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, gjatë arrestimit të tashmë viktimës.
Ndaj tyre është marrë masa e ndalimit për 48 orë me vendim të prokurorit.
GazetaDemos dje gjatë qëndrimit në Lipjan, ka bashkëbiseduar me doktoreshën e këtij rasti, e cila dha detaje shokuese.
“Mbrëmë e kemi pasë një thirrje nga Stacioni Policor, ora ka qenë 12:00 pas mesnate. Na thanë se janë disa persona të dehur. Kur arritëm, e pamë që njëri prej tyre ishte pa shenja jete, i shtrirë afër një polici. Ishte ende i prangosur. Kërkuam që t’i hiqen prangat sepse ishte pa ndjenja, por ndihma e parë nuk pati sukses. Njoftuam policinë që duhet të lajmërohet forenzika.”
Ajo tregoi se në momentin e marrjes së informacioneve të para, nuk ishte informuar se bëhej fjalë për një person në gjendje të rëndë apo të vdekur.
“Ka qenë pa shenja jete. I kam tregu policit, i kam thanë që nuk kemi drejtë me e largu prej vendit të ngjarjes. Por ka bo kërkesë me e dërgu te ju, shkaku që ka pasë shumë njerëz. E kemi pru këtu, por pacienti veçse ka qenë i vdekur. Rasti është pak i dyshimt,” shtoi ajo.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka konfirmuar për Gazetën Demos se personi i ndjerë dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit dhe ishte sjellë në mënyrë të rrezikshme për sigurinë publike.
Ngjarja tashmë është nën hetim nga organet përkatëse, ndërsa pritet edhe raporti përfundimtar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për të sqaruar shkakun e saktë të vdekjes.
Viktimës iu dha lamtumira e fundit dje nga familjarët e miqtë.