Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka konfirmuar se në tregun e Kosovës nuk ka çipsa nga prodhuesi serb, të cilët përmbajnë substanca kancerogjene.
Inspektorati Shtetëror i Kroacisë ka njoftuar sot se janë zbuluar substanca kancerogjene në disa produkte ushqimore serbe. Gjatë ditës, në kufirin Kroaci-Serbi, një nivel i lartë i akrilamidit kancerogjen është gjetur në çipsa. Bëhet fjalë për prodhuesin Chips Way d.o.o. nga Çaçaku – Chips Bits & Byte Paprika 150 g.
Nga AUV-i kanë thënë për Demosin se nuk ka dyshime për produktet që eventualisht ende mund të ketë në treg nga ky prodhues për shkak se nga qershori nuk është lejuar asnjë import nga Serbia.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë deri me tani nuk ka pranuar notifikim (lajmërim) nga sistemi RASFF, për dyshime apo rrezik në produktet e prodhuesit të çipsave nga CHIPS WAY D.O.O, të prodhuesit nga Cacaku-Serbi për prezencë të Acrylamideve. Nëse do të kishte dyshime për produktet qe kanë qen të destinuara për tregun e Kosovës. Lajmërimi do të ndahej me ne si autoritet AUV-në, ashtu sikurse ka ndodhur ne rastet e tjera.
Me qëllim të informimit të konsumatorëve. Nga të dhënat e kontrollit kufitar, furnizimit i tregut te Kosovës nder vite ka pasur disa përfaqësueses- importues. Mirëpo brenda vitit- 2023, në të dhënët e sistemit te AUV-së mund të konfirmojmë se janë realizuar vetëm tri ( 3) importe nga prodhuesi në fjalë nga një importues i vetëm. Është me rendësi të theksohet se importi i fundit është realizuar me datën 29.04.2023. Ndërsa notifikimi për produkte te kontaminuara është pranuar: Date of notification 02-08-2023 16:17:39. AUV sipas Planit te Kontrolleve Zyrtare, monitoron dhe mbikëqyrë rregullisht sipas vlerësimit të rrezikut, të gjithë Operatoret e Biznesit me Ushqim, çftë për produkte importi apo vendore.
Me qëllim të heqjes se dilemave dhe informimit të saktë të konsumatorëve/heqjes së dyshimeve për produkte të kontaminuara, pas qarkullimi te informatave në media. Ne kemi ngritur nivelin e gatishmërisë për veprim. Në momentin qe pranohet Informim zyrtar nga RASFF, inspektorati i AUV është i gatshëm për veprim” ka thënë Thaçi.
Ndryshe, lajmi për gjetjen e nivelit të lartë akrilamide në patatet e skuqura (çipsa) të prodhuar në Serbi, është bërë i ditur në faqen e internetit të Komisionit Evropian.
“Me informata e deritanishme nuk ka dyshime për produktet qe eventualisht ende mund të ketë ne treg nga ky prodhues për shkak se: Nga data 14/06/2023 sipas urdhrit nuk është lejuar asnjë import i produkteve me origjinë nga Serbia. Urdher i cili është ende në fuqi. Ne anën tjetër importi i fundit me produkte nga ky prodhues është realizuar me datën 29.04.2023, ndërsa notifikimi për produkte te kontaminuar është pranuar: Date of notification 02-08-2023 16:17:39. Të cilat kanë datë prodhimi pas datës kur është importuar ngarkesa e fundit”, tutje shtoi Thaçi.