Përderisa kemi rënie të çmimeve të derivateve në vend, qytetarët e Kosovës po përballen me çmime të larta të produkteve esenciale që sipas ekspertit të ekonomisë, Safet Gërxhaliut duhet të ndryshohet.
Gërxhaliu për Gazetën Demos thotë se ka një ngecje që po i sjell të gjitha këto probleme, e që do të duhej të zgjidhej sa më parë.
“Qytetarët e Kosovës akoma po përballen me probleme ekonomike, me çmime tejet të larta që do të duhej të ndryshonin pas ndryshimeve që erdhën në të gjithë ballkanin. Njëri nga fajtorët kryesor është sektori publiko-privat që kanë mungesë të diskutimit dhe të një politike të duhur për stabilitet ekonomik”, thotë Gërxhaliu.
Paradoksi i radhës në vend sipas Gërxhaliut është rënia e çmimeve të energjisë elektrike në të gjithë Evropën por jo edhe në Kosovë.
“E çuditshme është se në të gjithë Evropën ka rënie të çmimeve të energjisë elektrike ndërsa në Kosovë ka ngritje për 15 përqind, dhe kjo sjell edhe pasojat e mos rënies së çmimeve të produkteve tona në prodhim”, thotë Gërxhaliu për Gazetën Demos.
E, nga ngritja e çmimeve të energjisë elektrike nuk ka pas ndryshime as në çmimin e bukës edhe pas rënies së çmimit të miellit.
“Pas rënies së çmimit të miellit, u prit të ketë rënie të çmimeve edhe të bukës porse kjo nuk ndodhi sepse çmimi i energjisë është shumë i lartë në vend”, thotë Gërxhaliu.
Por se a mund të ketë një shpresë për qytetarët e vendit se në muajt pasardhës do të ketë ndryshime të çmimeve dhe stabilitet ekonomik, Gërxhaliu shprehet skeptik.
“Tek ne çmimet ngriten shumë shpejt por të njëjta nuk bien lehtë. Inflacioni është i lartë në vend ndaj edhe për një periudhë qytetari do të përballet me këto çmime të larta”, përfundoi Gërxhaliu.
Kujtojmë se gjatë javës së kaluar, edhe Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani për Gazetën Demos paralajmëroi rënie akoma më shumë të çmimeve të derivateve dhe kësisoj iu kërkoi edhe bizneseve të bëjn ulje të çmimeve të produkteve esenciale në vend.
Lexo edhe: