Autoritetet amerikane të imigracionit kanë konfirmuar arrestimin për disa orë të influencuesit të njohur italo-senegalez dhe TikToker-it Khaby Lame, për shkelje të ligjeve të imigracionit.
Sipas deklaratës së Zyrës Amerikane të Imigracionit dhe Doganave (ICE), Lame hyri në SHBA më 30 prill dhe qëndroi më gjatë se lejohej me vizën e tij. Më 6 qershor iu dha mundësia të largohej vullnetarisht nga vendi dhe e ka bërë këtë pa probleme.
Lajmi fillimisht u përhap në rrjet pas një postimi në X nga Bo Loudon, një influencues konservator dhe mik i Barron Trump. Ai e përshkroi Lame-n si një “TikToker të ekstremit të majtë” dhe pohoi se e kishte raportuar vetë si “emigrant të paligjshëm”, duke publikuar edhe një ID të ndalimit nga autoritetet.
Ndërkohë, Khaby Lame është rikthyer në Instagram me një story ku shfaq një bregdet me palma, të ngjashme me ato të Miamit, duke sugjeruar se ndodhet ende në SHBA për një ngjarje bamirësie në Florida.
25-vjeçari u bë i famshëm gjatë pandemisë për videot e tij pa fjalë, që ironizonin zgjidhje të komplikuara për probleme të thjeshta. Ai është përfshirë në listat prestigjioze si Forbes ’30 Under 30′ dhe Fortune ’40 Under 40′, dhe këtë vit mori pjesë në Met Gala 2025, si dhe u shpall Ambasador i Vullnetit të Mirë i UNICEF.