Dhomat e Specializuara kanë ulur sot dënimin me 3 muaj për Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinaj, dy ish-drejtues të OVL-së së UÇK-së.
Në ndryshim nga katër vjet e gjysmë që u dënuan në gjyqin e parë, tani ata do të vuajnë katër vjet e tre muaj burg. Nga dënimi i tyre do të hiqet koha e qëndrimit në paraburgim. Këtë e bëri të ditur kryetarja e trupit gjykues të apelit, Michele Picard.
Pas vendimit, përmes një deklarate për media kanë reaguar avokatët mbrojtës të Gucatit dhe Haradinajt. Në reagimin e tyre, thuhet se edhe pse ende nuk janë shqyrtuar të gjitha detajet e aktgjykimit, vendimi do të apelohet në Gjykatën Supreme të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Më tej, në reagimin e mbrojtjes së ish-drejtuesve të OVL-së së UÇK-së thuhet se ata presing që z.Gucati të vazhdoj të qëndroj në qendren e paraburgimit të Dhomave të Specializuara deri në vendimin e plotfuqishëm nga Gjykata Supreme.
Njoftimi i plotë:
Deklaratë për media lidhur me aktgjykimin në çështjen Prokurori i Specializuar v Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj
2 shkurt 2023
Në emër të Zt. H. Gucati,
Jemi të zhgënjyer me vendimin e panelit të Gjykatës së Apelit.
Nuk kemi arritur akoma të konsiderojmë detajet e vet aktgjykimit por, mund të cekim se do ta apelojmë çështjen më tej në Gjykatën Supreme të Dhomave të Specializuara të Kosovës sa i takon shkeljeve esenciale të procedurës dhe të ligjit gjatë shqyrtimit kryesor dhe gjatë procedurës në Gjykatën e Apelit.
Ndërkohë ne presim që Zt. Gucati të mbetet në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara deri në vendimin e plotfuqishëm nga Gjykata Supreme.
Ekipi mbrojtës i Zt. Hysni Gucati