Afati mbyllet sonte, ky është numri i zyrtarëve publikë që e kanë deklaruar pasurinë
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka bërë të ditur se procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë ka hyrë në orët e fundit, ndërsa afati ligjor përmbyllet sonte në ora 23:59:59.
Sipas të dhënave të përditësuara deri në ora 16:00, nga gjithsej 10,372 zyrtarë të obliguar:
9,825 zyrtarë publikë (94.73%) e kanë përfunduar deklarimin
276 (2.66%) janë ende në proces
271 (2.61%) nuk e kanë filluar fare deklarimin
Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ka paralajmëruar për pasojat ligjore ndaj atyre që nuk e respektojnë afatin.
“Deklarimi nuk është opsion, por obligim ligjor dhe përgjegjësi ndaj publikut. Ftojmë të gjithë zyrtarët që ta përfundojnë deklarimin pa vonesë. Mosrespektimi i afatit sjell pasoja ligjore,” tha ai.
APK njofton se ekipet e saj janë në dispozicion për mbështetje teknike dhe sqarime deri në përmbyllje të afatit, por përgjegjësia për deklarim në kohë mbetet individuale për secilin zyrtar publik.
Me vetëm disa orë në dispozicion, institucioni u bën thirrje zyrtarëve që ende nuk e kanë përmbushur obligimin, të veprojnë menjëherë për të shmangur gjobat dhe procedurat e mëtejme ligjore.