Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se malazezët kanë vendosur që kandidati Jakov Millatoviq, të jetë ai që përfaqëson gjeneratën e re nga politika, me edukim në Oxford e retorikë pro-evropiane.
Sipas Abazoviqit, njerëzit në Mal të Zi e zgjodhën Millatoviqin, përballë Millo Gjukanoviqit, i cili sipas tij, ka përfaqësuar korrupsionin, krimet e luftës, pasurinë e jashtëzakonshme të rrethit e të familjes së vet dhe varfërinë e popullit.
“Thënë të drejtën, e papritur edhe nga ana ime diferenca në vota. Isha i sigurt në humbjen e tij, por jo kësi diference, me të vërtetë edhe optimistët më të mëdhenj s’e kanë paraparë”, tha Abazoviq në Rubikon.
Tutje, ai tha se çështjet gjeopolitike të Malit të Zi s’do të ndryshojnë, pasi sipas itj, kanë një qëllim e ai është që Mali i Zi të futet në BE.
“Në BE s’mund të shkojmë nëse s’i respektojmë rregullat të cilat kanë të bëjnë edhe me politikë të jashtme. Ne jemi shtet që e kemi 100 për qind kompatibil politikën e jashtme me politikën e jashtme të BE-së”.