AGIM PAJAZITI, NJË DJALË ME NEVOJA TË VEÇANTA QË ASNJËHERË NUK U DORËZUA
Agim Pajaziti, një djalë me nevoja të veçanta që asnjëherë nuk u dorëzua, së fundmi ka realizuar projektin e tij më të ri me titull “Sytë e Tu”, me tekst të shkruar nga vetë ai. Muzika dhe orkestrimi janë realizuar nga Beni Baksi, ndërsa për videoklipin e kësaj kënge është përkujdesur produksioni EMSALE.
Në një prononcim për gazetën tonë, Agim Pajaziti ka bërë të ditur se tash e një vit ka nisur edhe emisionin “Jo të Njëjtë, por të Barabartë”, të cilin e moderon vetë. Realizimi i këtij emisioni bëhet nga Kosova Info, me qëllim që të promovohen historitë, sfidat dhe sukseset e personave me nevoja të veçanta.
I pyetur nëse ka projekte të reja, Agimi është shprehur se shumë shpejt do të realizojë edhe projekte të tjera të ndryshme, si në muzikë ashtu edhe në emision. Në fund, ai falënderon nga zemra të gjithë bashkëpunëtorët që po e mbështesin dhe po e bëjnë të mundur realizimin e ëndrrës së tij.