Përtej emrave të mëdhenj që ngjiten në skenë, Sunny Hill Festival mbështet përmes Sunny Hill Foundation bursa për të rinjtë, programe ndërkombëtare të kompozimit muzikor dhe iniciativa për edukimin artistik në Kosovë. Edicioni i vitit 2026 do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht në Prishtinë.
Trashëgimia më e rëndësishme e Sunny Hill Festival nuk matet vetëm me artistët me famë botërore që performojnë çdo verë në Prishtinë, por edhe me ndikimin që festivali krijon gjatë gjithë vitit përmes Sunny Hill Foundation.
E themeluar në vitin 2018 nën patronatin e artistes me famë botërore Dua Lipa, fondacioni synon të investojë në talentet e reja kreative të Kosovës dhe të krijojë më shumë mundësi për zhvillimin e tyre profesional.
Që nga themelimi, Sunny Hill Foundation ka financuar 30 bursa për vajza të reja nga e gjithë Kosova për të mbështetur arsimimin cilësor, ka përkrahur 17 organizata kulturore dhe organizata joqeveritare, ndërsa aktivitetin e nisi me një donacion prej 100 mijë eurosh për organizata bamirëse në Kosovë. Misioni i fondacionit është të zgjerojë qasjen në art dhe kulturë për brezat e rinj.
Një nga programet më të veçanta të fondacionit është partneriteti shumëvjeçar me Musikmakarna, akademinë e parë suedeze të specializuar për kompozim muzikor. Në kuadër të këtij bashkëpunimi organizohet Songwriting Camp, përmes të cilit autorë këngësh dhe producentë të rinj nga Kosova punojnë dhe krijojnë muzikë së bashku me artistë ndërkombëtarë. Ky program lidhet gjithashtu me Tim Bergling Foundation, fondacionin e themeluar në kujtim të artistit të njohur suedez Avicii.
Përveç kësaj, fondacioni ka mundësuar që artistë të rinj nga Kosova të marrin pjesë në programe trajnimi dhe masterclass në Institute of Arts and Innovation në Los Anxhelos.
Investimi në zhvillimin artistik pritet të zgjerohet edhe më tej. Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, Sunny Hill Foundation po punon për krijimin e një qendre të madhe rajonale për muzikë dhe arte, ndërsa përmes fushatave si “A Flag for Her” ka shfrytëzuar skenën e festivalit për të ngritur vetëdijen kundër dhunës me bazë gjinore.
“Festivali është motori, por fondacioni është arsyeja pse e bëjmë gjithë këtë. Çdo biletë e blerë ndihmon që një i ri nga Kosova të ketë mundësinë të punojë dhe të mësojë pranë profesionistëve më të mirë në botë. Ne u rritëm pa e pasur këtë mundësi dhe po punojmë që gjenerata e ardhshme të mos përballet me të njëjtat kufizime,” ka deklaruar bashkëthemeluesi i Sunny Hill Festival, Dukagjin Lipa.