LajmeNdërkombëtare

Bandar Abbas, baza që mund të përcaktojë fatin e konfliktit SHBA-Iran

Gati një muaj pasi SHBA-të dhe Irani nënshkruan një marrëveshje të përkohshme paqeje për t’i dhënë fund luftës mes SHBA-të, Izraelit dhe Iranit, përplasjet ushtarake në Gjirin Persik kanë rifilluar.

Irani është zemëruar pasi SHBA-të u kërkuan anijeve tregtare të shmangnin Ngushticën e Hormuzit dhe të përdornin një rrugë alternative pranë bregdetit të Omanit. Teherani e konsideron këtë një përpjekje për të dobësuar kontrollin e tij mbi këtë kalim detar shumë të rëndësishëm.

Si përgjigje, Irani ka rifilluar sulmet ndaj anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit në rrugë që ai i cilëson si “të paautorizuara”. Nga ana tjetër, SHBA-të kanë kryer sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake në juglindje të Iranit, ndërsa Teherani ka goditur sërish vende të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.


Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer bllokadën detare ndaj porteve iraniane dhe ka paralajmëruar se mund të godasë edhe infrastrukturë civile, si ura dhe termocentrale, nëse Irani nuk rikthehet në negociata.

SHBA përdor për herë të parë dronë detarë

Të dielën, 12 korrik, Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) publikoi pamje që tregonin përdorimin për herë të parë të dronëve detarë në luftë.

Sipas ushtrisë amerikane, tre mjete detare pa pilot sulmuan një objekt që përdorej për mirëmbajtjen e nëndetëseve dhe anijeve në portin iranian të Bandar Abbas. Pamjet tregojnë momentin kur dronët godasin objektivin dhe shpërthejnë në flakë.

Bandar Abbas, objektivi kryesor

Bandar Abbas është një nga qytetet më të rëndësishme portuale të Iranit. Aty ndodhet terminali më i madh i kontejnerëve në vend dhe përmes tij kalon më shumë se gjysma e trafikut detar iranian.

Që nga fundi i shkurtit, qyteti është goditur vazhdimisht nga sulmet amerikane. Sipas të dhënave të Armed Conflict Location and Event Data Project (ACLED), janë regjistruar të paktën 96 sulme në zonën e Bandar Abbas gjatë luftës.

Rreth një e treta e tyre kanë pasur në shënjestër baza ushtarake, pozicione raketore dhe infrastrukturë detare. Në një nga këto sulme u vra edhe komandanti i Marinës së Gardës Revolucionare, Alireza Tangsiri.

Pse është kaq e rëndësishme Ngushtica e Hormuzit?

Bandar Abbas ndodhet në brigjet veriore të Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë. Në kohë paqeje, përmes saj kalonte më shumë se 20% e eksporteve botërore të naftës dhe gazit të lëngshëm.

Pas shpërthimit të luftës, Irani kufizoi lëvizjen në këtë ngushticë, duke e përdorur kontrollin mbi të si mjet presioni ndaj SHBA-ve dhe aleatëve të saj.

Marrëveshja e përkohshme e paqes, e nënshkruar në qershor, parashikonte që Irani të lejonte kalimin e sigurt të anijeve tregtare për 60 ditë. Gjithashtu, Irani dhe Omani do të diskutonin administrimin e ardhshëm të Ngushticës së Hormuzit.

Megjithatë, Teherani thotë se marrëveshja i njeh të drejtën për të kontrolluar trafikun detar në këtë zonë, ndërsa SHBA-të e kundërshtonin këtë interpretim.

Strategjia amerikane

Javën e kaluar, ushtria amerikane deklaroi se goditi radarë, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe mbi 60 mjete të vogla detare të Gardës Revolucionare për të ulur aftësinë e Iranit për të sulmuar anijet tregtare.

Sipas Bilal Saab, ish-zyrtar i Pentagonit dhe drejtues në qendrën kërkimore TRENDS US, Bandar Abbas është zemra e logjistikës detare të Iranit.

Ai tha se nëse kjo bazë dëmtohet rëndë, dobësohet ndjeshëm aftësia e Iranit për të vepruar në det.

Mbrojtja e Iranit mbështetet në tokë

Edhe pse sulmet amerikane kanë shkatërruar ose dëmtuar mbi 155 anije luftarake iraniane, analistët thonë se mbrojtja e Ngushticës së Hormuzit nuk varet kryesisht nga marina.

Sipas tyre, Irani mbështetet te raketat tokësore, dronët ajrorë dhe detarë, si edhe minat detare të vendosura nga mjete të vogla lundruese.

Ekspertët besojnë se SHBA-të po synojnë të shkatërrojnë jo vetëm anijet iraniane, por edhe infrastrukturën e përhershme ushtarake në Bandar Abbas, si kantieret detare, bazat e riparimit dhe objektet e mirëmbajtjes, për t’i shkaktuar Iranit dëme afatgjata në fuqinë e tij detare.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button