Kishte fshehur një tajlandeze në valixhe për ta kaluar jashtë vendit, arrestohet i riu në Shqipëri
Policia Kufitare e Muriqanit ka arrestuar në flagrancë një shtetas francez, i cili dyshohet se tentoi të nxirrte në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria një shtetase tajlandeze.
Sipas policisë, në pranga u vu shtetasi Tom Haac, 26 vjeç, me shtetësi franceze, shkruan Euronews.al
Gjatë kontrollit të automjetit të tij në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan në sediljen e pasme një valixhe, brenda së cilës ishte fshehur një shtetase tajlandeze.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se qëllimi i shtetasit francez ishte transportimi i shtetases tajlandeze nëpërmjet territorit të Malit të Zi dhe më pas Kroacisë, me destinacion përfundimtar Francën, duke shmangur procedurat ligjore të kalimit dhe hyrjes në shtetet përkatëse.
Sipas njoftimit të Policisë, pas konstatimit të rastit u procedua me ndalimin në flagrancë të shtetasit francez dhe të shtetases tajlandeze, ndërsa u sigurua vendi i ngjarjes dhe vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.