Mbyllet përkohësisht “Vita”, AUV sqaron çfarë u gjet gjatë inspektimit
Pas raportimeve për kontrollet e zhvilluara në qumështoren “Vita” në Istog dhe njoftimeve se kompania ka pezulluar përkohësisht aktivitetin e saj, ka reaguar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Përmes një komunikate, AUV ka bërë të ditur se ka realizuar një inspektim të jashtëzakonshëm në një subjekt që merret me përpunimin e qumështit dhe prodhimin e produkteve të qumështit, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë së aktivitetit me kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore.
Sipas AUV-së, gjatë inspektimit janë marrë mostra të qumështit UHT me afat të gjatë përdorimi, si dhe mostra të qumështit pluhur dhe vajit të palmës, të cilat janë dërguar për analiza laboratorike.
Agjencia njofton se gjatë kontrollit janë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi.
“Është evidentuar se operatori ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit në bazë të autorizimit përkatës, ndërsa në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, sipas AUV-së, është konstatuar se subjekti nuk posedon autorizim të veçantë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash qumështi për qëllimet e deklaruara në etiketim.
Megjithatë, Agjencia ka sqaruar se deri në këtë fazë nuk është marrë asnjë vendim për mbylljen e subjektit.
“AUV sqaron se në këtë fazë nuk është marrë asnjë masë për mbylljen e subjektit. Inspektimi ka konsistuar vetëm në verifikim dhe marrje mostrash, ndërsa vlerësimi i plotë dhe konstatimet përfundimtare do të bëhen pas pranimit të rezultateve laboratorike”, thuhet në reagim.
Sipas AUV-së, pas përfundimit të procedurës inspektuese, subjektit i është lënë vendim për të respektuar dhe zbatuar kërkesat e legjislacionit në fuqi, ndërsa rezultatet laboratorike do të përcaktojnë veprimet e mëtejshme administrative dhe ligjore.