27-vjetori i rënies së heroit Agim Selmanaj, Haradinaj: Ishte djalë që s’e njohu frikën e s’u ndal asnjëherë përballë armikut
Shkruan: Bujar Haradinaj
Sot nuk kujtojmë vetëm një emër, por një jetë të tërë të dhënë për liri, heroin Agim Selamanaj.
Agimi ishte djalë sy-patrembur deri në frymën e fundit, njeri që nuk e njohu frikën dhe nuk u ndal asnjëherë përballë armikut.
Për mua, ai nuk ishte vetëm bashkëluftëtar, ishte krahu im i djathtë dhe i shumë bashkëluftetarëve, mbështetja jonë më e fortë në ditët më të vështira të luftës.
Ishim të pandashëm ditë e natë, në çdo aksion e në çdo betejë, gjithmonë në vijën e parë, duke përballuar çdo rrezik bashkë, pa u tërhequr kurrë.
Agimi ishte zëvendëskomandanti im në Policinë Ushtarake, në kuadër të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” një ndër brigadat më të lavdishme jo vetëm në Zonën Operative të Dukagjinit, por në mbarë Kosovën, nën udhëheqjen e Dautit.
1 Maji na ndau fizikisht, por nuk mundi të shuajë gjurmën që la pas.
Sepse njerëz si Agimi nuk vdesin, ata bëhen themel i lirisë dhe mbeten përjetë në kujtesën e kombit.
Jam krenar që pata fatin të të njoh dhe të bashkudhëtoj me ty në ditët e lavdisë.
Lavdi e përjetshme veprës dhe sakrificës tënde, hero Agim Selamanaj!