Rritja e çmimeve, Zogaj: Qeveria spektatore, dy arsyet pse nuk po ndërmerr asgjë!
Anëtari i kryesisë së LDK-së, ish deputeti Alban Zogaj, e ka quajtur shqetësuese përqindjen e inflacionit, ku rritja e çmimeve po vazhdon.
Ai për Expose të Gazeta Blic, thotë se qeveria po qëndron spektatore në gjithë këtë krizë.
“Ka rritje shumë të lartë të çmimeve vetëm në dy muajt e fundit ku kemi inflacion 6.5 për qind krahasuar me vitin e kaluar, që është një normë e lartë e inflacionit edhe në fakt është normë shqetësuese. Por ajo që është më e rëndësishme është që e kemi një qeveri spektatore ndaj një krize të thellë ekonomike në të cilën po hyn vendi sepse ka mungesë të shpenzimeve kapitale, në anën tjetër çmimet po rriten e pagat po mbesin të njëjta. Andaj qeveria duhet të reagojë në këto raste e nuk po reagon, është komplet spektatore ndaj kësaj situate”, ka theksuar ai.
Sa i përket rritjes së çmimit të naftës, Zogaj vlerëson se ajo u reflektua edhe në Kosovë dhe se shumë shtete kanë ndërmarrë masa si ulja e TVSH-së e akicës për naftën, por jo edhe Kosova
“Normalisht se çdo ngritje e çmimit të naftës në botë reflektohet menjëherë edhe te ne sepse ne e importojmë naftën nga vendet e tjera të botës, andaj kjo u reflektua edhe në çmimet e naftës në Kosovë, arritën çmime rekord pothuajse 2 euro për litër. Të gjitha vendet të Evropës por edhe disa vende të mëdha demokratike botërore janë duke marrë masa për ta ulur çmimin e naftës, e këto masa janë kryesisht ulja e TVSH-së për naftën, ulja e akcizës së naftës, në mënyrë që t’i ndihmojë edhe qytetarët e vendit por edhe prodhuesit, firmat. Në rastin tonë, ne si LDK propozuam po të njëjtat masa në Kuvend dhe ajo rezolutë ose ato masa u kundërshtuan nga shumica politike në vend dhe ne jemi akoma në këto çmime që po i shohim çdo ditë. Pra edhe në rastin e çmimeve të naftës, prapë qeveria spektatore dhe në fakt refuzon t’i marrë masat që i takojnë t’i marrë”, ka potencuar ai.
Me këtë gjendje, Zogaj thotë se rëndohet jeta e qytetarëve, për çka nevojiten masa.
“Inflacioni e rëndon shumë kuletën e qytetarëve, dihet, sa më të larta çmimet e në anën tjetër pagat mbeten të njëjta, kjo nënkupton që fuqia blerëse e qytetarëve do të bie. Pra, çka kanë blerë përpara me 100 euro, tash nuk mund të blejnë, tash blejnë me 140 euro, sepse konsiderohet që inflacioni në këto 4-5 vitet e fundit është rritur për 40 për qind. Kjo e rëndon shumë jetën e qytetarëve, e rëndon ekonominë e vendit por është qeveria ajo që duhet të ndërhyjë, të ndërmarrë masa që ta zbusë pak a shumë krizën ekonomike”, është shprehur ai.
Por, pse qeveria nuk po ndërmerr asgjë? Zogaj thotë se për këtë janë dy shpjegime.
“Janë dy shpjegime. Një shpjegim është guximi që po u mungon guximi për t’i marrë vendimet e mëdha për vendin dhe këto masa që duhet të merren dhe e dyta është edhe paaftësia e tyre për t’i marrë këto masa. Tjetër shpjegim nuk ka. Ne po ua japim të gjitha argumentet dhe besa edhe analizat se pse duhet të merren këto masa dhe si ndikon kjo në uljen e çmimeve në ekonomi, ata nuk i ndërmarrin këto masa, për mendimin tim, për këto arsye, ose mungesë e guximit, ose mungesë e aftësive”, ka deklaruar Alban Zogaj