“Sot nuk isha në seancë sepse…” Kurti lajmërohet nga Spanja
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se nuk ka marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit për shkak të një vizite zyrtare të paracaktuar në Barcelonë të Spanjës.
Përmes një postimi publik, Kurti bëri të ditur se në rend dite të Kuvendi i Kosovës ishte, ndër të tjera, edhe shqyrtimi në lexim të parë i projektligjit për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilin e cilësoi si tejet të rëndësishëm.
Kurti theksoi se pret që ligji të miratohet sa më shpejt edhe në lexim të dytë, në mënyrë që institucioni përkatës të nisë punën për zbatimin e tij.
“Sot nuk isha në seancë të Kuvendit të Kosovës për shkak të një vizite të paracaktuar zyrtare në Barcelonë të Spanjës. Por, Kuvendi në rend dite, në lexim të parë, kishte ndër të tjera edhe një projektligj tejet të rëndësishëm, atë të Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në mbledhjen e 7-të të Qeverisë me 30 mars e miratuam në Qeveri, sot kaloi në parim në Kuvend dhe presim që sa më parë të votohet edhe në lexim të dytë që më në fund ky ligj me institucionin përkatës të fillojë punën” shkroi kryeministri.