LajmeShneta

MSh: Me udhëzimin e ri administrativ, specializantet në pushimin e lehonisë do të paguhen 100%

67 mjeke specializante po shkollohen e po punojnë pa asnjë cent.

Kjo për shkak se ato janë bërë nëna dhe e kanë shfrytëzuar pushimin e lehonisë.

Lidhur me këtë temë, Klan Kosova ka realizuar edhe një kronikë.

Ndërsa të martën (14 prill), Klani ka marrë një përgjigje më të zgjeruar për këtë çështje.

“Specializantet, me rastin e pushimit të lehonisë, paguhen në përputhje me legjislacionin në fuqi, në masën 70% të pagës gjatë gjashtë (6) muajve të parë të pushimit. Pas përfundimit të kohës së paraparë të shkollimit specialistik, me qëllim të përmbushjes së plan-programit të shkollimit, u zgjatet periudha e shkollimit për aq kohë sa kanë qenë në pushim të lehonisë”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për Klan Kosovën.

Tutje MSh-ja bën të ditur se Udhëzimi Administrativ për shkollimin specialistik është në fazën përfundimtare të finalizimit ( pas përmbylljes së konsultimeve publike).

“Në këtë udhëzim është paraparë që, për periudhën e vazhdimit të shkollimit specialistik si rezultat i pushimit të lehonisë, specializantët do të paguhen 100%”, thuhet në përgjigje.

Derisa për pagën e 13-të, siç thotë Ministria e Shëndetësisë, planifikimi dhe ekzekutimi bëhet nga Thesari i Shtetit dhe një gjë e tillë është bërë edhe për punonjësit e Administratës.

Back to top button