Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari uron festën e “Fitër Bajramit”
Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari ka uruar festën e Fitër Bajramit.
I plotë:
Urimi i Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës për festën e Fitër Bajramit
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës të besimit islam, me rastin e festës së shenjtë të Fitër Bajramit, ju përcjell urimet e mia më të përzemërta në këtë ditë të bekuar, e cila vjen pas një muaji përkushtimi, sakrifice dhe reflektimi shpirtëror gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Në këtë ditë feste dhe solidariteti, shpreh mirënjohjen time të thellë për përkushtimin, profesionalizmin dhe gatishmërinë tuaj të vazhdueshme në shërbim të atdheut dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Angazhimi juaj i palodhshëm është dëshmi e përgjegjësisë, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj misionit tonë të përbashkët për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit.
Duke ju uruar nga zemra që kjo festë të sjellë shëndet, paqe dhe begati në familjet tuaja, shpresoj që ajo të jetë një burim i ri force, motivimi dhe solidariteti për të vazhduar me përkushtim detyrën fisnike në shërbim të vendit.
Gëzuar Fitër Bajramin!