Gjini jep detaje për zjarrin në fabrikë: Humbje e madhe për Gjakovën
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ka bërë të ditur se një pjesë e fabrikës së “Comoditës” është djegur tërësisht.
Ai ka lavdëruar edhe zjarrfikësit për punën e tyre profesionale, teksa ka thënë se djegia e fabrikës është humbje e madhe për Gjakovën e Kosovën për shkak se është punëdhënësi më i madh në Gjakovë.
Postimi i tij:
Një pjesë e fabrikës Comodita në Gjakovë është kapluar nga zjarri dhe është djegur tërësisht.
Për disa orë me zjarrëfikësit, policinë dhe zyrtarët komunal të emergjencave edhe një herë isha dëshmitar i profesionalizmit dhe vetmohimit të tyre në luftë me flakët.
Comodita është punëdhënësi më i madh në Gjakovë.
Si pjesë e Devolli group është në krye të taksapaguesve që e mbushin arkën e shtetit.
Ne momentet që digjeshin miliona investime të kompanisë së tij, qartësisht i mërzitur, Shkëlqimi i falënderonte të gjithë për mundin dhe falënderonte zotin sepse nuk kishte pësuar asnjë nga të punësuarit.
Kjo është humbje për kompaninë, për Gjakovën dhe Kosovën.
Edhe në këtë orë, zjarrëfikësit po luftojnë për ta mbrojtur një nga pjesët vitale të prodhimit që deri tash nuk është dëmtuar.
Ditët e para të këtij viti ishin të vështira për Gjakovën.
Do të punojmë në sanimin e dëmeve nga vërshimet, sa më parë.
Dhe shpresojmë që Comodita të arrijë t’i sanojë dëmet dhe ta rikthejë prodhimin.
Një falënderim edhe për zjarrëfikësit e komunave fqinje për solidaritetin dhe vetmohimin!