Me dashje tentoi ta privonte nga jeta të miturin, ngritet aktakuzë ndaj ferizajasit
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet E.S, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 24.10.2025, rreth orës 19:55, te Stacioni i Autobusëve, në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj, pas një mosmarrëveshje të mëhershme, i akuzuari me dashje ka tentuar që ta privojë nga jeta të dëmtuarin e mitur, në atë mënyrë që me tu takuar fillimisht e ofendon me fjalë banale, e më pas e godet dy herë radhazi me thikë në pjesën e gjoksit dhe krahut, për çka i njëjti si pasojë e këtyre goditjeve ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe iu kishte nënshtruar trajtimit në QKUK – Klinika e Kirurgjisë Torokale.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurin e lartcekur ta shpall fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet dhe të njëjtit t’i shqiptoj sanksion penal sipas ligjit.