Lista Serbe ka bërë të ditur synimin për t’u rikthyer në pushtet në komunat veriore të Kosovës, duke shpallur se do të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar në të katër komunat në veri, si dhe në gjashtë komuna të tjera. Kandidatët e saj janë ish-kryetarë të komunave që u dorëhoqën në vitin 2022, pas vendimit të serbëve lokalë për të braktisur institucionet e Kosovës. Sipas partisë, pjesëmarrja e tyre në garë është mbështetur nga Serbia.
Të dhënat e Komisionit Qendror Zgjedhor tregojnë se Lista Serbe do të garojë për kryetar në komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok, si dhe në Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug, Partesh e Kllokot. Ndërkohë, për asamble komunale do të jetë e pranishme edhe në Gjilan, Istog, Klinë, Pejë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Lipjan, Vushtrri dhe Obiliq.
Në Mitrovicën e Veriut, kandidat është Milan Radojeviq, ish-kryetar deri në nëntor 2022 dhe ish-drejtor i “Drejtorisë së Fondit Pensional Invalidor të Serbisë për Kosovën”, institucion paralel. Në Leposaviq, garon Zoran Todiq, ish-kryetar dhe pjesë e institucioneve paralele. Për Zveçanin, kandidon ish-kryetari Dragisha Miloviq, me përvojë në një institucion paralel shëndetësor. Në Zubin-Potok, kandidati është Milosh Peroviq.
Në prezantimin e kandidatëve, përfaqësuesit e partisë theksuan mbështetjen nga Serbia. “Me mbështetjen e shtetit tonë të Serbisë, po luftojmë përsëri për të arritur në një situatë ku mund të vendosim për fatin tonë, por tani jemi absolutisht të vetëdijshëm se qasja hipokrite e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe organizatave ndërkombëtare ka çuar në faktin se serbët po jetojnë ditët më të vështira që nga viti 1999”, deklaroi Igor Simiq, anëtar i kryesisë së Listës Serbe.
Në garë kundër Listës Serbe në veri dhe në komunat tjera pritet të jenë rreth 10 subjekte politike. Së bashku me rreth 100 parti e iniciativa të tjera, kjo parti është në pritje të verifikimit dhe certifikimit nga KQZ për pjesëmarrje në zgjedhje.
Serbët lokalë u tërhoqën nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, në nëntor 2022. Me direktiva nga Serbia, ata bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të vitit 2023, si dhe procesin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore.