Një shtetas gjerman, që dyshohet të jetë me prejardhje shqiptare, njëherësh edhe tifoz i KF Shkëndijës, duke drejtuar një motoçikletë me targa regjistrimi të Tetovës, ka shkaktuar një incident me prapavijë të “intolerancës kombëtare” në bulevardin “Ilinden” në Shkup, përpara ndeshjes mes Shkëndijës dhe Qarabagut, më 5 gusht në kryeqytetin maqedonas.
Siç raportojnë mediat në RMV, thuhet se i njëjti është dënuar me kusht dhe është deportuar nga Maqedonia e Veriut për shkak të siç thuhet, “gjuhës së urrejtjes”.
Ai para ndeshjes kundër Qarabagut, e vlefshme për turin e tretë eliminator të Ligës së Kampionëve, kishte shfaqur dhe valëvitur banerin me mbishkrimin “Autochthonous”, me çka është cilësuar se ka shkaktuar “urrejtjeje, përçarjeje dhe mosdurimi mbi baza etnike”.
Siç raportohet nga mediat në Shkup, këtë e kishin vërejtur pjesëtarët e policisë, të cilët e kishin privuar menjëherë nga liria.
“Bazuar në provat e marra në koordinim midis policisë dhe prokurorisë kompetente, Gjykata Themelore Penale e Shkupit menjëherë shpalli një vendim me të cilin e shpalli të pandehurin fajtor dhe e dënoi me një dënim me kusht prej dy vitesh burgim, i cili nuk do të ekzekutohet nëse personi i dënuar nuk kryen një vepër të re penale në 5 vitet e ardhshme”, ka thënë Prokuroria Themelore Publike në Shkup.
Njëkohësisht, pasi bëhet fjalë për një shtetas të huaj, gjykata vendosi ta dëbojë atë dhe t’ia ndalojë hyrjen në vend për pesë vitet e ardhshme.