Kryetari i Këshillit Kombëtar, Enkel Rexhepi, ka treguar se gjatë ditës së sotme kryetari i Trupit Koordinues, Aleksandar Martinoviq, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të shërbimit të TK-së në Bujanoc, Nenad Mitroviq, janë befasuar nga flamuri shqiptar i vendosur në hapësirat e selisë së KKSH-së, gjatë një takimi që ishte thirrur me kërkesë të Trupit Koordinues
Rexhepi tha se qysh nga kërkesa për takim, e ashtu edhe gjatë organizimit të detajeve të takimit, nga zyrtarët e Trupit Koordinues kishte tendenca dashakeqe që si i tillë të dështoj.
“Por sigurisht tendencat ishin që barra e fajit për dështimin e takimit të bie mbi Këshillin Kombëtar Shqiptar”.
Sipas tij, fillimisht, kërkesa e tyre ishte që takimi të mbahej në ambientet e shërbimit të Trupit Koordinues në Bujanoc, e pas refuzimit të Rexhepit, kërkesa e rradhës, edhe më absurde se e para, ishte që takimi të mbahet në, siç thonin ata “lokacion neutral”, gjegjësisht në Sallën e vogël të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc.
“Këto kërkesa absurde, që në thelb përbëjnë mosnjohjen e Këshillit Kombëtar, si institucioni i vetëm që përfaqëson shqiptarët, nga ana jonë morën përgjigjen definitive, që takimi duhet të mbahet në hapësirat e Selisë së KKSh.Edhe pas dakordimit përmes komunikimit zyrtar mes Trupit Koordinues dhe shërbimit të Këshillit, kërkesa tjetër ishte që takimi të mbahet, por në ambiente ku nuk ka asnjë flamur të vendosur”.
Për më shumë lexoni reagimin e Rexhepit në rrjetin social në Facebook.