Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se të enjten me urdhër të prokurorit të shtetit, njëra nga të pandehurat K.A. është ndaluar për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, me rastin në institucionin parashkollor “Botanika”.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se sipas hetimeve, të pandehurat, në cilësinë e personave zyrtar, në institucionin parashkollor “Botanika” në Prishtinë, dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kanë përvetësuar mjete financiare që u janë besuar për shkak të pozitës që mbanin, duke i shkaktuar dëm buxhetit të komunës.
“Andaj, me kërkesë të Prokurorit të rastit, ndaj njërës nga të pandehurat iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve me fondet publike, duke i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre rasteve në përputhje me ligjin”, thuhet në njoftim.