Inspektorati Policor përmes një hetimi do të verifikojë pretendimet për keqtrajtim nga policia të një personi në Veri të Mitrovicës lidhur me një incident që ndodhi në sheshin ‘Car Llazar’.
IPK ka filluar procesin e grumbullimit të informacioneve lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga policia e të cilat pretendime janë bërë publike sot në media vendore dhe ka pasur një reagim nga shoqëria civile në Mitrovicën e Veriut.
Sipas informacioneve të para – incidenti raportohet të ketë ndodhur sot pas mesnatës (pas orës 03:00) kur policia ka arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor një qytetar me inicialet M.S, nën dyshimin se i njëjti ka dëmtuar pronën e një dyqani privat në prezencë të zyrtarëve policorë.
Pas shqiptimit të një tikete për kundërvajtje i njëjti është liruar.
Ndërkaq, hetuesit e IPK-së përmes një hetimi pritet të verifikojnë pretendimet për keqtrajtim të të njëjtit nga policia gjatë intervenimit në këtë incident.