Kryetari i Sindikatës së punëtorëve në Termocentralin “Kosova A”, Haxhi Kastrati, e cilëson normale shpërthimin në kazan, që ka ndodhur mbrëmë te njësitë.
Kastrati tha se është një avari e vogël që ka ndodhur, e cila kalohet shpejt dhe që nuk ka lënduar asnjë punëtor.
“Kjo është normale, çfarë ka ndodh. Është normale munden me ndodhë, sepse gjithë këto temperatura që kanë qenë… Ka ndodh një avari e vogël që shumë shpejt kalohet”, tha ai.
Ndërkohë, lidhur me rastin ka reaguar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke njoftuar se nuk ka vend për shqetësim në lidhje operimin dhe sigurinë në njësitë e TC “Kosova A”.
Sipas tyre njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është shkyçur nga puna në mënyrë të rregullt.
“Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt. Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe i njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë problem, njoftoi deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili publikoi një video duke thënë se ka shpërthyer një kazan, raportin Teve1.
“Eksplodim i kazanit ‘bojleri i Albinit’, në Termocentralin Kosova A, Blloku A4. Kjo i shkon për shtati mafisë energjetike, sepse tash na duhet import i energjisë!”, ka shkruar ai në Facebook