Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka pritur në takim në rezidencën e tij Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Në postimin e bërë në platformën “X”, ambasadori amerikan ka thënë se ShBA-ja vazhdojnë të mbështesin tranzicionin e Kosovës drejt një të ardhme më të qëndrueshme energjetike.
“Takimi i mirë me ministren Artane Rizvanolli dje. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin tranzicionin e Kosovës drejt një të ardhme më të qëndrueshme energjetike, veçanërisht përmes USAID dhe MCC.
“Gjithashtu mezi presim përparimin e vazhdueshëm në Udhërrëfyesin e Energjisë. E ardhmja energjetike e Kosovës është e ndritshme”, ka shkruar Hovenier në platformën “X”.
Good meeting with Minister @Artane_R yesterday. The United States continues to support Kosovo's transition to a more sustainable energy future, in particular via our @USAID and @MCCgov programs. Also look forward to continued progress on the Energy Roadmap. Kosovo's energy future… pic.twitter.com/6u8c01taaj
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) December 19, 2023
Dhjetë ditë më parë, I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, bëri të ditur se KEDS-i dhe Elektroseveri kanë nënshkruar kontratën komerciale.
I ndërguar i BE-së e vlerësoi si një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë.
“Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE-ja dhe në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Urime për të gjithë ata që e bënë të mundur”, tha Lajçak.
Ndryshe, sipas udhërrëfyesit të qershorit 2022, Elektrosever do të nënshkruante marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in brenda dhjetë ditëve nga lëshimi i licencës, “për të operuar në tregun e energjisë në Kosovë”.
Këto marrëveshje do t’i mundësonin asaj “të ofrojë shërbime të shpërndarjes (faturim, arkëtim, mirëmbajtje dhe lidhje fizike të konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe”.