Peja dhe Trepça do të zbresin në parket këtë mesjavë për t’i zhvilluar ndeshjet e tyre të radhës në garat evropiane.
Kampionia dhe nënkampionia e Kosovës do të luajnë në shtëpi në kuadër të fazës së grupeve të FIBA Europe Cup.
Verdhezinjtë, të cilët mbrëmë u përforcuan me basketbollistin amerikan Urald King, do të kenë punë me skuadrën, Den Bosch, shkruan “Gazeta Express”.
Ekipi nga Rrafshi i Dukagjinit, i mbështetur nga tifozët e flaktë në palestrën “Karagaç”, do të mundohet ta mposht ekipin holandez në ndeshjen që do të luhet nesër mbrëmë duke filluar nga ora 19:00.
Kurse, “Xehetarët” do ta presin në “Minatori” ekipin tjetër holandez, ZZ Leiden.
Edhe kjo ndeshje, e vlefshme për xhiron e dytë të kësaj gare, do të luhet nesër mbrëma duke nisur nga ora 19:00.
Mitrovicasit po ashtu llogarisin në mbështetjen e “Torcidës” për ta fituar këtë takim.