Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës u ka bërë apel qytetarëve të kenë kujdes nga rrezet e forta të diellit.
Në postim theksohet se kujdes më të veçantë ndaj rrezeve të diellit duhet të kenë qytetarët të cilët janë të shtyrë në moshë dhe ata me sëmundje kronike, preferohet se nga ora 9:00 deri në orën 17:00 të mos kenë kontakte direkte me rrezet e diellit.
Postimi i plotë:
Vendi ynë do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e masave të ajrit me presion të rritur atmosferik. Në këto kushte do të mbajë mot kryesisht me diell dhe stabil. Në fushat termike do të kemi rritje graduale, duke bërë që merkuri në termometër të arrijë vlera rreth 35-36 gradë Celsius, derisa minimalet mbeten pothuaj të ngjashme me vlerat e ditëve të fundit. Indeksi UV do të shënojë vlera të rritura, që nënkupton rrezik për një shtresë të popullatës që kanë sëmundje kronike, gjithashtu këto vlera të indeksit UV janë të padëshirueshme edhe për njerëzit në moshë, prandaj këshillat e IKSHP-së që nga ora 9-17 mundësisht të mos jemi në kontakt direkt me rrezet e diellit. Do të fryjë erë e lehtë kryesisht nga drejtimi i verilindjes.