Deputeti i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli ka bërë një deklaratë që duket të jetë mjaftë raciste ndaj minoriteteve në Kosovë.
Duke kritikuar partitë politike që kanë udhëhequr sektorin e shëndetësisë gjatë viteve të fundit, ai ka deklaruar se edhe “minoriteteve iu erdhi radha që ta udhëheqin”.
Para se të jepte këtë deklaratë, ai fillimisht tha se “faji nuk është jetim”, për dështimin në sektorin e shëndetësisë.
“23 vjet pas çlirimit, ky dështim në këtë sektor, mund të themi se faji nuk është jetim. Të gjitha partitë kanë udhëhequr këtë sektor, bile edhe partive minoritare iu ka ardhë rendi për të udhëhequr këtë sektor. Edhe VV-ja e ka udhëhequr për dy vite”, ka deklaruar ai.
Tutje ai ka folur edhe për buxhetin e propozuar nga kryeministri Albin Kurti për vitin 2023, duke vlerësuar se janë ndarë 120 milionë euro më shumë për shëndetësi.
Pas reagimeve për deklaratën, Avdyli ka marrë fjalën edhe një herë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, megjithatë, nuk ka kërkuar falje për deklaratën e tij.
“Ministrinë e Shëndetësisë, e kanë udhëheq të gjitha partitë bile edhe minoritetet. Dikush e paska shkru koment racist. Te lutem, çfarë racizmi është ky koment, nuk është racizëm, është vlerësim për dy ministrat e shëndetësisë…Kjo është në kuptim pozitiv, që të gjitha partitë e kanë udhëheqë shëndetësinë dhe përgjegjësia na bie të të gjithë dhe kjo nuk ka të bëjë në këtë kontekst…Unë konsideroj partitë monitoare si parti të këtij kuvendi dhe parti si çdo parti tjetër”, ka thënë ai.