Deputetët opozitarë kanë përmendur masat ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës, duke i akuzuar qeveritarët se nuk po i shqetëson kjo.
Deputeti i Guxo-s, Haxhi Avdyli ishte njëri prej përfaqësuesve të parë të pushtetit që u përgjigj. Ai tha se sanksionet “nuk janë duke dhënë kurrfarë efekti”.
“Sa i përket sanksioneve, ne në Kosovë absolutisht nuk… këto sanksione nuk janë duke dhënë kurrfarë efekti. Më shumë janë sanksione fiktive sepse Kosova ëshyë duke bërë marrëveshje, Kosova është duke vizitu shtete dhe akterë të lartë politikë që janë duke ardhë në Kosovë dhe absolutisht këto sanksione nuk janë çështje që janë duke ndikuar drejtpërdrejt në Kosovë”, tha Avdyli.
“Sidoqoftë, rezultatet e Kosovës janë shumë më të mëdha sesa dëmi i sanksioneve të cilat ju i përmendni”, tha ndër tjerash ai.
Kryeministri Albin Kurti, për dallim prej Avdylit, pati thënë se Kosova po vuan për shkak të këtyre masave.
“Është e vërtetë që ne po vuajmë për shkak të këtyre sanksioneve. Kryesisht komuniteti ynë i biznesit, por edhe shërbimet shtetërore. Për shembull, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është ngrirë, megjithëse ne e kemi përmbushur atë në 69 për qind. Huat dhe grantet si dhe financimet nga fondet e Bashkimit uvropian janë gjithashtu në rrezik. E gjithë kjo u ndërpre. Prandaj, heqja e këtyre masave ndaj Kosovës do të ishte vërtet e mirëseardhur dhe vendim i drejtë i Bashkimit Europian”, pati deklaruar Kurti.