Ish i burgosuri politik, Ylber Topalli, i cili poashtu ka qenë pjesë e grupit të parë që është stërvitur për luftë guerile në Shqipëri, i ftuar në emisionin n’Demos, ka folur për të gjitha përjetimet e tij që nga stërvitjet në Shqipëri e deri te Masakra e Dubravës.
Ai rrëfeu se si kishte arritur të arratisej nga Gjykata e Prishtinës, ku gjatë ikjes mbeti i plagosur nga policia serbe.
“Rrugës kah Xhamia e Llapit u ndëgjuan breshëri të shumëta, njëri plumb ishte trishpues ndërsa plumbi që ishte fatal dhe që më rrëzoi ishte ai që më goditi në boshtin kurrizor, ma theu unazën dhe më vendosi për tokë”, tha Topalli.
Tutje ish i burgosuri politik bëri të ditur se kishte vazhduar ta shante policin që e kishte plagosur në boshtin kurrizor, në mënyrë që ta acaronte dhe ai ta vriste.
“Ashtu erdhën Policia, përkundër lëndimeve të shumta që kisha edhe përgjatë kërcimit, edhe tre plumba që i morra, ma kapën krahun, më lidhën me pranga, gjaku shkonte rrëke asfaltit, dhe polici i cili më goditi boshtin kurrizor i dridhej dora, ndërsa unë vazhdoja ta shaja e ta fyeja, me njëfarë mënyre që ta detyroja të më vrajë dhe t’i japë fund kësaj katrahure”, potencoi ai n’Demos.
Mes tjerash Topalli tha se pasi i dhanë ndihmën e parë e dërguan në intenzivë në Prishtinë, ku qëndroi katër ditë, i prangosur dhe aparatura në gjoks.
Rrëfimin e tij të plotë mund ta ndiqni këtu: