Ish i burgosuri politik, Ylber Topalli, i cili poashtu ka qenë pjesë e grupit të parë që është stërvitur për luftë guerile në Shqipëri, i ftuar në emisionin n’Demos, ka folur për të gjitha përjetimet e tij që nga stërvitjet në Shqipëri e deri te Masakra e Dubravës.
Pasi ishte kthyer nga stërvitjet në Shqipëri, ai bashkë me disa shokë të grupit ishin arrestuar nga forcat serbe, ku janë torturuar dhe malltretuar në forma të ndryshme, shkruan GazetaDemos.
Topalli në emisionin n’Demos ka rrëfyer se pse kishte vendosur të arratisej, dhe si arriti të arratisej nga Gjykata e Prishtinës kur ishte dërguar për të dhënë intervistë.
Ai tha se në mënyrë të vazhdueshme kishte presion që t’i tregonte të gjithë emrat e ushtarëve që kanë qenë pjesë e grupit të parë të stërvitur për luftë.
“Me njëfarë mënyre arrestimi i këtij grupi do të ishte goditje e drejtpërdrejtë e UÇK-së, kostoja me e dhanë këtë informacion ishte shumë e rëndë dhe më përpara mendonim vdekjen se sa dekonspirimin e të gjithë këtyre”, u shpreh Topalli.
Ish i burgosuri politik tha se kjo ishte edhe arsyeja pse kishte vendosur të arratisej.
“Unë i dhash qëllim vetes, në momomentin e parë që më jepet do të tentoj të iki, të arratisem. Në momentin kur kam shku në Gjykatë të Qarkut, në zyrën ku duhet të jepja intervistën, kam vërejtur në hyrje që Gjykata është e rrethuar me Policë shumë, dhe tendenca për me ikë ishte më shumë një aventurë se sa një gjasë reale për me ikë, mirëpo ndërgjegjia për të mos i dekonstruktuar 52 ushtarët i thoshte mendjes time se duhej të ikja”, theksoi ai.
Tutje Topalli bëri të ditur se ka arritur të arratiset nga Gjykata në Prishtinë përmes dritareve, të cilat ishin të hapura.
“Në momentin kur futem në zyre hapet dera, perdet lëvizën dhe e vërej që dritaret janë të qelura, sipas rregullores së tyre intervista fillon dhe duhet të mi zgjidhin duart, në atë moment mi zgjidhin duart, unë ulem prapë, e bëj shpejtë një kalkulim, për faktin se kisha një kuti të madhe të cigareve dhe mund ta përdorja atë për ta goditur policin. Në momentin kur mi kanë zgjidh duart dhe fillon Danica të cjerret dhe fillon fjalët banale, unë aty me dy-tre hapa kërcej për dritare dhe bie në pjesën e parë para gjykatës, në asfalt”, potencoi dëshmitari i Masakrës së Dubravës në emisionin n’Demos.
Ai rrëfeu se fizikisht ka qenë i përgatitur, por torturat që kishte përjetuar dhe rryma e pandërprerë katër ditë, kishin ndikuar në forcën e tij fizike.
Më tej ish i burgosuri politik rrëfen se si ka vazhduar të ikë rrugës nga Tregu i Gjelbërt, për të mos u goditur nga Policia ndonjë kalimtar i rastit, por që si rrjedhojë ishte goditur një fëmijë në krahun e nënës, për çka ai thotë se ndjehet jashtëzakonisht keq.
Ai tha se krismat që janë dëgjuar te Tregu i Gjelbërt kanë zgjuar kurreshtjen e qytetarëve e poashtu policëve, të cilët pastaj ia kanë bllokuar lëvizjen.
“Kur ballafaqohem me ata dy policë, ata me automatik në drejtim të neve, tentoj për me u kthy, këta të cilët ishin duke më ndjekur me revole në dorë më bllokojnë, dhe unë ngela mes dy polivëve me automatikë dhe shumë të tjerëve që ishin me revole. Asnjëherë nuk kam menduar të dorëzohem. Nëse vritem, vritem, për një ideal, që mos me i qit 52 shokët e mi ushtarë, nëse vritem, vritem, nëse shkoj, shkoj menjëherë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, aty ku e kam vendin”, u shpreh Topalli.
Rrëfimin e tij të plotë mund ta ndiqni këtu: