53 biznese në pronësi të grave dhe pjesëtarë të minoriteteve janë përfituese të grantit prej 530 mijë dollarëve.
Kjo mbështetje është në kuadër të skemës së granteve të qëndrueshmërisë, ku përfshihen sektorë nga bujqësia, agrokultura dhe bukuria. Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) kanë organizuar ceremoninë e nënshkrimit të këtyre granteve.
Presidentja Vjosa Osmani tha se ndarja e 53 granteve për bizneset e udhëhequra nga gratë, do të shërbejë për qëndrueshmërinë në këtë sektor.
Osmani: Arritjet e grave po e riformësojnë sektorin e biznesit
(Video)
“Arritjet e sipërmarrëseve gra në Kosovë nuk janë vetëm suksese individuale. Ato janë arritje kolektive që ngrisin dhe fuqizojnë të gjithë shoqërinë tonë. Këto gra të jashtëzakonshme po thyejnë barriera në sektor tradicionalisht të dominuar nga burrat, duke prirë me praktika inovative dhe duke vendosur standarde të reja të cilësisë. Arritjet e tyre po e riformësojnë sektorin e biznesit, duke kontribuar drejt një kulture të barazisë dhe gjithëpërfshirjes. Është konfirmuar tashmë gjerësisht se gratë jo vetëm që fuqizojnë bizneset dhe familjet e tyre, por edhe kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në përmirësimin e strukturës ekonomike dhe sociale të shtetit tonë. Angazhimi ynë për të përkrahur gratë ne biznes dhe për të mbështetur të gjitha komunitetet në po të njëjtin synim mbetet i pa lëkundur”, deklaroi Osmani.
Shumë biznese në pronësi të grave, Osmani shtoi se u detyruan të mbyllen për shkak të pandemisë. Megjithatë, ajo theksoi se ka një valë të re të bizneseve të reja në pronësi dhe menaxhim të grave.
Kryetarja e shtetit theksoi se mbështetja e USAID-it ka qenë dhe mbetet esenciale.
“Ndarja e granteve nga USAID për 53 biznese në pronësi të grave dhe biznese të udhëhequra nga gra e burra nga komuniteti jo-shumicë, është më shumë se një investim financiar. Është një shenjë besimi në aftësitë e jashtëzakonshme të sipërmarrësve tanë. Këto fonde do të shërbejnë si katalizator për rritje, inovacion dhe qëndrueshmëri të mëtutjeshme në secilin nga këta sektorë jetik të ekonomisë tonë”, shtoi Osmani.
Edhe drejtoresha e misionit të USAID-it, Mary Eileen Devitt tha se bizneset e vogla janë motori i shoqërisë. Sipas saj, shumë shpesh gratë dhe grupet e minoriteteve janë të përjashtuara.
“Gjatë katër viteve të ardhshme, USAID nën aktivitetin 5,7 milionë dollarësh të angazhimit ekonomik gjithëpërfshirës do të akordojë këto grante të cilat do të sigurohen në një sektor privat më gjithëpërfshirës duke rritur mundësitë ekonomike dhe duke fuqizuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në pronësi të grave dhe minoriteteve. Kjo skemë e fuqizimit do të ofrojë 530 mijë dollarë grante. Këto biznese zakonisht operojnë në fusha siç janë turshitë, frutat e thatë, e kështu me radhë. Këto grante do të ju ndihmojnë, ndjejnë sot pasojat e pandemisë që të bëheni të qëndrueshëm ndaj ndonjë shoku që mund të vijë në të ardhmen. Dhe në përgjithësi do të ju ndihmojë që të jeni më konkurrent në tregjet vendore dhe rajonale”, u shpreh ai.
Drejtoresha ekzekutive të Fondit për Zhvillim Komunitar (CDF) , Nermin Mahmuti foli për rëndësinë e këtyre granteve për gratë sipërmarrëse.
“Qëllimi kryesor i aktivitetit gjithëpërfshirës ekonomik është që të ofrojë mundësi te shtuara ekonomike dhe të rris qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve të synuara. Fuqizimi i tyre do të kontribuojë në zhvillimin e sektorit privat dhe në integrimin e tyre në sektorin ekonomik të Kosovës. Si rezultat i bashkëpunimit mes të CDF-së dhe USAID të gjitha bizneset përfituese të granteve do të kenë mundësi që përmes pajisjeve të fituara, mbështetjes teknike dhe mentorimit të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese dhe të jenë më atraktive në treg”, u shpreh ajo.
Nga 53 ndërmarrjet që kanë qenë përfituese të këtij granti, 40 prej tyre janë në pronësi të grave dhe 13 të tjera në pronësi të minoriteteve.