Një tjetër vatër zjarri është aktivizuar në qarkun e Kukësit.
Gjatë pasdites, zjarri u shfaq në vendin e quajtur Fierza e Qemës, në fshatin Kishaj të bashkisë Has.
Zjarri ka përfshirë masivin pyjor të këtij fshati, në një terren të vështirë dhe të largët nga rrugët automobilistike.
Ekipet e shërbimit zjarrfikës të bashkisë Has, bashkë me punonjësit e shërbimit pyjor, janë nisur drejt vendit të ngjarjes për të luftuar flakët.
Ndërkohë, në dy vatrat e tjera aktive, në Zogaj të Tropojës dhe Letaj të Hasit, po punohet për izolimin e tyre.
Në vendngjarje, janë angazhuar rreth 200 forca, prej të cilave 100 i përkasin ushtarëve Komando, ndërsa pjesa tjetër janë zjarrfikës dhe punonjës të tjerë.