Australia u bën thirrje qytetarëve të vet që të largohen nga Izraeli pas sulmit ndaj Iranit
Departamenti Qeveritar i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Australisë u ka bërë thirrje shtetasve australianë në Izrael që “të largohen, nëse është e sigurt të veprohet ashtu”.
“Ekziston një rrezik i lartë i hakmarrjeve ushtarake dhe sulmeve terroriste kundër Izraelit dhe interesave izraelite në mbarë rajonin. Situata e sigurisë do të mund të përkeqësohej shpejt. Ne u bëjmë thirrje australianëve në Izrael ose në Territoret e Pushtuara Palestineze që të largohen, nëse është e sigurt të veprohet ashtu” – thuhet në një shkrim të faqes “Smart Traveller” në rrjetin X, që publikon këshilla nga ky departament, raporton televizioni CNN.
Departamenti australian paralajmëroi se “sulmet ushtarake mund të rezultojnë në mbyllje të hapësirës ajrore, anulime të fluturimeve, ndryshim të drejtimit të tyre dhe pengesa të tjera të udhëtimit”.
Ky institucion është i shqetësuar se aeroporti ndërkombëtar “Ben Gurion” në Tel Aviv “mund t’i pauzojë operacionet për shkak të shqetësimeve të shtuara të sigurisë në çfarëdo kohe dhe me njoftim të shpejtë”.
___________________
Një raketë izraelite e ka goditur Iranin, i kanë thënë dy zyrtarë amerikanë televizionit CBS.
Mediat shtetërore iraniane po raportojnë se fluturimet janë pezulluar mbi disa qytete, sipas agjencisë “Associated Press”, raporton televizioni BBC.
Irani ka qenë në gjendje të lartë gatishmërie, pasi Izraeli kishte thënë se do t’i kundërpërgjigjej sulmit iranian të së shtunës.
Forcat iraniane shkrepën bateri të mbrojtjes ajrore në një bazë të rëndësishme ajrore dhe në një qendër bërthamore afër qytetit Isfahan, pasi disa dronë u vërejtën të premten herët në mëngjes, duke shkaktuar frikë për një hakmarrje të mundshme nga Izraeli për sulmin e pashembullt me dronë e raketa, raporton agjencia “Associated Press”.
Nuk qe e qartë nëse Irani është sulmuar dhe asnjë zyrtar iranian nuk e pranoi drejtpërdrejt këtë mundësi. Ushtria izraelite nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, citoi zyrtarë anonimë izraelitë që e morën përgjegjësinë për sulmin.
Televizioni shtetëror iranian raportoi se bateritë e mbrojtjes ajrore u shkrepën në disa provinca pas raportimeve për disa dronë që ishin parë në ajër.
___________________
Irani thotë se ka rrëzuar tre dronë
Sipas një zyrtari iranian, sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan tre dronë të premten, ndërsa mediat shtetërore iraniane thanë se nuk është raportuar për sulme ose shpërthime të nivelit të lartë pas shpërthimeve afër qytetit Isfahan.
Tre dronë “u rrëzuan me sukses nga mbrojtja ajrore e vendit, nuk ka raportime për një sulm me raketë tash për tash”, shkroi në rrjetin X zëdhënësi i Qendrës Kombëtare të Hapësirës Kibernetike në Iran, Hossein Dalirian.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, IRNA, sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan në disa rajone si masë parandaluese kundër rreziqeve të mundshme ajrore.