Administrata Trump ka publikuar të dhëna mbi mbikëqyrjen e Martin Luther King Jr nga FBI-ja, pavarësisht kundërshtimit nga familja e fituesit të çmimit Nobel dhe grupi i të drejtave civile që ai drejtoi deri në vrasjen e tij në vitin 1968.
Publikimi përfshin rreth 200,000 faqe të dhënash që kishin qenë nën një vulë të vendosur nga gjykata që nga viti 1977, kur FBI-ja mblodhi për herë të parë të dhënat dhe ia dorëzoi ato Administratës Kombëtare të Arkivave dhe të Dhënave.
Dokumentet mbi vrasjen e udhëheqësit të të drejtave civile u postuan në një faqe interneti qeveritare, ndërsa kritikët dhe mbështetësit e Donald Trump vazhdojnë të bëjnë thirrje që ai të respektojë një premtim tjetër të fushatës: publikimin e dosjeve nga hetimet federale ndaj Jeffrey Epstein, abuzuesit seksual të dënuar me të cilin Trump shoqërohej për më shumë se 15 vjet.
Familja e King, përfshirë dy fëmijët e tij të gjallë, Martin III dhe Bernice, u njoftua paraprakisht për publikimin dhe kishin ekipet e tyre që shqyrtonin të dhënat përpara publikimit. Dy nga fëmijët e tij i kanë bërë thirrje publikut të angazhohet me dokumentet “me empati, përmbajtje dhe respekt për pikëllimin e vazhdueshëm të familjes sonë”.
“Publikimi i këtyre dosjeve duhet të shihet brenda kontekstit të tyre të plotë historik”, shkruan Martin Luther King III dhe Dr. Bernice A King në një deklaratë.
“Gjatë jetës së babait tonë, ai u shënjestrua pa pushim nga një fushatë dezinformimi dhe mbikëqyrjeje pushtuese, grabitqare dhe thellësisht shqetësuese e orkestruar nga J. Edgar Hoover përmes Byrosë Federale të Hetimit (FBI)”, u tha ndër tjera.
Ata gjithashtu përsëritën pretendimin e gjatë të familjes se James Earl Ray, njeriu i dënuar për vrasjen e King, nuk ishte i vetmi përgjegjës, nëse ishte fare.
Bernice King ishte pesë vjeç kur babai i saj u vra në moshën 39 vjeç. Martin III ishte 10 vjeç.
“Qëllimi i fushatës COINTELPRO të qeverisë nuk ishte vetëm të monitoronte, por të diskreditonte, çmontonte dhe shkatërronte reputacionin e Dr. King dhe Lëvizjen Amerikane për të Drejtat Civile në përgjithësi”, vazhdojnë ata.
“Këto veprime nuk ishin vetëm shkelje të privatësisë, por edhe sulme të qëllimshme ndaj të vërtetës – duke minuar dinjitetin dhe liritë e qytetarëve privatë që luftuan për drejtësi, të dizajnuara për të neutralizuar ata që guxuan të sfidonin status quo-në”, shtuan ata.
Fëmijët e udhëheqësit të vrarë të të drejtave civile shkruajnë gjithashtu se besojnë se babai i tyre u vra si pjesë e një komploti që përfshinte “bashkëpunëtorë të paidentifikuar, përfshirë agjencitë qeveritare”.
“Ndërsa mbështesim transparencën dhe llogaridhënien historike, ne kundërshtojmë çdo sulm ndaj trashëgimisë së babait tonë ose përpjekjeve për ta përdorur atë si armë për të përhapur gënjeshtra”, thanë familjarët.
“Ne dënojmë fuqimisht çdo përpjekje për të keqpërdorur këto dokumente në mënyra që synojnë të minojnë trashëgiminë e babait tonë dhe arritjet e rëndësishme të lëvizjes. Ata që promovojnë frytet e mbikëqyrjes së FBI-së, pa e ditur, do të rreshtohen me një fushatë të vazhdueshme për të degraduar babain tonë dhe Lëvizjen për të Drejtat Civile”, theksuan për fund.