Zyra e Kryeministrit Albin Kurti do të shpenzojë mbi tetë mijë euro për blerjen e dhjetëra karrigeve statike dhe lëvizëse.
Sipas dosjes së tenderit të publikuar në faqen zyrtare e-Prokurimi, Zyra e Kryeministrit do të furnizohet me 110 karrige të tilla (40 të një lloji dhe 70 të një lloji tjetër).
Për këtë tender ishin planifikuar të shpenzoheshin 10 mijë euro, por që në fund kontrata është nënshkruar për 8 mijë e 350 euro.
Në dosje përshkruhen edhe kriteret që duhet t’i kenë këto karrige.
“Karrige për zyre me rrota, me krahë, strukturë najloni – rrjetë, pjesa për mbështetje dhe ajo e kokës, pjesa për ulje tapiceri tekstili, ngjyra e zezë , dimensionet standarde. (40 copë). Meqenëse posedojmë një pjesë të karrigeve në sallat e Objektit të Qeverisë, me qëllim të unifikimit të tyre, preferohet ky model i karrigeve. Në rast të pengesave eventuale, tolerohet ndonjë devijim i vogël, por si tërësi ta ruaj formatin dhe dukjen e prezantuar. Karrige statike për zyre, me krahë, strukturë najloni- rrjetë për mbështetje dhe pjesa për ulje tapiceri tekstili, ngjyra e zezë, dimensionet standarde. (70 copë). Në rast të pengesave eventuale, tolerohet ndonjë devijim i vogël, por si tërësi ta ruaj formatin dhe pamjen e prezantuar”, thuhet në dosje.
Kompania që e ka fituar tenderin është “Mobelland” SH.P.K.
Kontrata është dhënë më 26 korrik 2022, derisa nënshkrimi planifikohet të bëhet më 28 korrik 2022.
“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet në njoftimin për dhënie të kontratës. /Reporteri.net