Mircea Geoana, zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, ka thënë se NATO nuk sheh asnjë shenjë rreziku që situata në Kosovë apo në rajon mund të përshkallëzohet.
Ai tha se e vetmja rrugë përpara për të dyja palët është dialogu dhe kompromisi dhe se NATO e mbështet plotësisht dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Vizita e sotme në Kosovë pasoi vetëm pak ditë pas samitit të NATO-s në Madrid, të cilin ai e konsideron shumë të suksesshme, transmeton lajmi.net.
Në Prishtinë, përveç kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ai ka folur edhe me komandantin e KFOR-it, pikërisht për situatën në Kosovë.
Ai thotë se situata është e brishtë por stabile dhe se NATO nuk sheh asnjë shenjë rreziku që ajo mund të përshkallëzohet.
Në anën tjetër, KFOR-i i përmbahet në mënyrë rigoroze mandatit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Kur është fjala për Forcat e Sigurisë së Kosovës, ne gjithmonë themi se të gjithë duhet t’i përmbahemi Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila thotë shumë qartë se çdo lëvizje e mundshme drejt veriut nuk duhet të bëhet pa u konsultuar me komandantin e KFOR-it. Dhe ky është mesazhi që ua dërguam të gjithë vendimmarrësve në Prishtinë të cilët i vizituam sot”, tha ai për Kossev.
Për NATO-n, e vetmja rrugë përpara është dialogu dhe kompromisi për të gjitha palët.
“Kjo është arsyeja pse mesazhi im, dhe mesazhi i të gjithë neve nga NATO-ja për të gjitha palët, është se ne inkurajojmë dialogun dhe se nuk ka zëvendësim për dialogun dhe kompromisin dhe se duhet të shmangim çdo vendim të papritur që mund të shkaktojë destabilitet”, tha ai.