Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, në TV Dukagjini ka thënë se me rastin e peticioneve për shkarkimin e kryetarëve në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është zmbrapsur.
“Njerëzit po e presin zmbrapsjen e kryeministrit Kurti që nuk vjen kurrë”, ka thënë ai.
Vokrri ka thënë se Udhëzimi Administrativ që është nxjerrë nga ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, i ka konkretizuar hapat që duhet ndjekur për procedurën e shkarkimit të kryetarit.
“Udhëzimi Administrativ që është nxjerrë nga ministria jonë vetëm i ka konkretizuar hapat që duhet ndjekur për procedurën e shkarkimit të kryetarit. Kjo ka qenë bazuar në ligjet e mëhershme, pra nuk është shpikja e tashme, është ligji i vetqeverisjeve lokale dhe ligji i zgjedhjeve”, ka thënë tutje Vokrri.
“Edhe në këtë situatë me komunat veriore ne besojmë që nëse paknaqësia është vërtetë aq e madhe si e prezanton Lista Serbe ose strukturat paralele që janë të shpartalluara atje, atëherë nuk do të ishte edhe problem që më shumë se gjysma e qytetarëve, 50% plus një së paku, të bëhen bashkë dhe të votojnë për shkarkim të këtyre kryetarëve”, ka shtuar zv.ministri.
Vokrri është shprehur se në gjykimin e tyre, kjo është ‘fer’.