Një incident është regjistruar mbrëmjen e 30 gushtit 2025, rreth orës 21:10, në Zubin Potok, ku një qytetar ka penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, njësia e policisë kufitare dhe njësia e trafikut rajonal në Mitrovicën e Veriut po shqiptonin një gjobë ndaj një kundërvajtësi në trafik, kur në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë P. J. rreth 34-vjeçar, i cili po lëvizte këmbë. Ai ka penguar policinë në ushtrimin e detyrës dhe më pas ka rezistuar ndaj arrestimit.
Si pasojë e rezistencës, i dyshuari ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor. Testimi ka treguar se ai ishte nën ndikim të alkoolit me 0.80 mg/L.
Në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesit rajonalë dhe Inspektorati Policor i Kosovës për të mbledhur dëshmi dhe prova materiale. Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, sipas nenit 401 të Kodit Penal.