Nga sot fillon faturimi i energjisë elektrike për 15 për qind më shtrenjtë. Kohë më parë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka njoftuar se një rritje prej rreth 15% të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë do të fillojë nga 1 prilli.
Ky ndryshim i faturës vjen pas ndryshimit të akrepave veror. Dhe kjo faturë do të jetë e vlefshme deri në muajin shtator.
Përkundër thirrjeve dhe pakënaqësive, rritja e energjisë ka hyrë sot në fuqi.
Ndryshe, këtë vendim e ka kundërshtuar edhe nga Presidenca e Kosovës e cila ka bërë të ditur të premten se kundërshton propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke konsideruar se ai është nuk është në përputhje me kornizën ligjore që obligon Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike në vend.
Reagimi i Presidencës ka ardhur pas paralajmërimeve të ZRRE-së për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind muajin e ardhshëm.
“Në vazhdë të një rritjeje potenciale, rikujtojmë se rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend. Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave duke u fokusuar po ashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale”, është thënë në komunikatën e Presidencës së Kosovës.