Zogaj: Qeveri e re, buxhet i ri – jo blerje votash me ndihma sociale
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, ka kritikuar mënyrën se si po procedohet me miratimin e buxhetit nga qeveria në detyrë, duke e quajtur këtë veprim “një lëvizje të pastër politike për blerje votash para zgjedhjeve”.
“Jemi totalisht të papërgatitur si Kuvend për të votuar një buxhet me kaq nguti. Ne nuk e dimë se çfarë përmban ai buxhet. Ka shumë paqartësi dhe shumë pikëpyetje në axhendë, përfshirë edhe buxhetet komunale”, ka deklaruar Zogaj në emisionin FIVE.
Ai ka theksuar se aktualisht komunat janë në vonesë me miratimin e buxheteve të tyre dhe se situata është “krejtësisht absurde”.
“Opozita në Prishtinë nuk e votoi buxhetin e vitit 2026 edhe e la Prishtinën edh epa buxhet të votuar për vitin 2026 edhe për 2025 që ka kalu. Një situatë krejtësisht absurde çfarë po ndodhë”, ka shtuar ai.
Zogaj tha se LDK-ja është duke analizuar me juristë nëse qeveria në detyrë ka të drejtë ligjore të miratojë buxhetin, por sipas tij, motivet janë të qarta politikisht.
“Jemi duke e analizuar juridikisht me juristët tanë dhe do të dalim shpejt me qëndrim final. Por nga ana politike, këto vendime jemi të bindur dhe qëndrimi ynë është se kjo është krejtësisht lëvizje politike, këto lëvizje po bëhen për shkak të zgjedhjeve potenciale në një të ardhme shumë të afërt dhe po bëhen për në vazhdimësi për blerje të votave”.
“Ne nuk e dimë se si është i orientuar ky buxhet, interesi ynë është se si do të orientohet ky buxhet. Me i rritë prapë ndihmat sociale, fonde për nënat lehona, që e dimë se është e drejtë por situatë tjetër dhe jo situatë para zgjedhjeve, sa herë ka zgjedhje dalin me një fushatë të tillë që është klasike blerje e votës para zgjedhjeve është keqpërdorim i zyrës, për të blerë votën në mënyrë indirekte. Para zgjedhjeve nuk bëhen lëvizje të tilla…Qeveri e re, buxhet i ri kështu duhej të ishte”, ka deklaruar ai në emisionin FIVE.