Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, tha se besimi i ulët i publikut ndaj gjyqësorit të Kosovës vjen si rezultat i vonesave në trajtimin e rasteve, cilësisë së vendimmarrjes, por edhe nga qasja që institucionet, shoqëria civile dhe mediat kanë ndaj gjyqësorit.
“Ka një trend goxha agresiv në periudhën e fundit mbi gjyqësorin edhe nga institucionet publike, shoqëria civile edhe mediat të gjithë që e kanë ndërtuar narrativin mbi gjyqësorin. Kjo ilustrohet me një shembull të thjeshtë, nëse u referohemi matjeve të knaqshmërisë së publikut me gjyqësorin dhe marrim kategorinë e qytetarëve që kishin çështje në gjykatë dhe kategorinë që nuk kishin çështje në gjykatë, shkalla e knaqshmërisë është shumë me e lartë te qytetarët që kanë çështje në gjykatë, se te ata që nuk kanë” tha Zogaj në Klan Kosova.
Zogaj tha se transparenca e gjyqësorit në Kosovë është rritur në masë të madhe dhe se kjo po bëhet edhe përmes publikimit të vendimeve gjyqësore dhe vendimeve disiplinore.
“Duhet ta kuptojmë që gjyqësori është prej institucioneve klasike të funksionimit, nuk e ka potencialin e institucioneve tjera në kuptimin mediatik, në komunikimin me publikut, pavarësisht që e kemi rritë në masë të madhe transparencën. Nuk është detyrë e përditshme e jona të komunikojmë me publikun, detyrë e jona është gjenerimi i sa më shumë rasteve”, tha Zogaj