Zjarri kaplon një hotel në New Delhi, vdesin të paktën 21 persona
Të paktën 21 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri në një hotel në New Delhi të mërkurën, ka njoftuar policia, në një nga incidentet më të rënda të tilla në kryeqytetin indian në vitet e fundit.
Hoteli ndodhej në zonën Malviya Nagar në jug të Delhit, një lagje kryesisht banimi e njohur për studentë dhe profesionistë të rinj, kanë bërë të ditur autoritetet.
Sipas policisë, deri më tani janë shpëtuar të paktën 40 persona.
Pamjet televizive kanë treguar ndërtesën e përfshirë nga flakët, tym të dendur që dilte nga objektit dhe dëme të mëdha në fasadën e saj, ndërsa banorët ishin mbledhur në një rrugicë të ngushtë aty pranë. Në disa pamje shihen edhe dy persona që hidhen nga katet e sipërme të ndërtesës.
Zyrtari i administratës lokale, Jitendra Kumar, ka thënë për mediat se në katin përdhes të ndërtesës ka funksionuar një restorant, duke shtuar se zjarri dyshohet të ketë nisur nga ai.
“Thuhet se kishte një restorant që vepronte në katin përdhes të ndërtesës… ka shumë të ngjarë që zjarri të ketë qenë i lidhur me atë restorant”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, kryeministri i Indisë, Narendra Modi, e ka cilësuar ngjarjen si tragjike, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve.