Kolegjiumi i Zyrtarëve për Komunikim me Publikun në Komuna, në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka njoftuar se ueb-faqet e komunave kanë probleme të theksuara.
Me këto telashe, ky kolegjium tha se komunat po hyjnë në vitin e dytë.
Këtë shqetësim, Kolegjiumi i Zyrtarëve për Komunikim me Publikun në Komuna thotë se e kanë paraqitur disa herë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, por thotë se ende nuk është bërë asnjë zgjidhje.
Sipas Bekim Dobrës, Kryesuesi i Kolegjiumit për Komunikimin me Publikun, javët në vazhdim, Komunat fillojnë të raportojnë në platformën interne të Grantit të Performancës dhe shumica prej indikatorëve që matin transparencën komunale, kanë të bëjnë me afatet ligjore të publikimit të dokumenteve të ndryshme.
“Sot, në mëngjes, nga të gjithë zyrtarët për Komunikim me Publikun është vërejtur edhe një problem tjetër, ku të gjitha dokumentet, si vendimet e kuvendit, vendimet e kryetarit, dokumentet e prokurimit, strategjitë, konkurset, shpalljet, ftesat për takime publike, ftesat për mbledhje të kuvendit dhe të komitetit për politikë dhe financa dhe çdo dokument tjetër që është publikuar gjatë vitit 2022, ka humbur nga ueb faqet. Ky është një shqetësim tejet i madh, pasi që tani është edhe koha e raportimit për Grantin e Performancës për vitin 2022 dhe nuk po dihet se cili dokument është mbetur, e cili është larguar, ku janë qindra dokumente dhe është e pamundur të identifikohen se cilat mungojnë dhe duhet ripublikuar”, tha Dobra në një reagim dërguar mediave.
Ai tha se zyrtarët për Komunikim me Publikun në Komuna, njëzëri nuk do të raportojnë në platformën e Grantit të Performancës për vitin 2022, “pasi që të gjithë penalizohen për shkak se shumica e indikatorëve në këtë Grant, kanë të bëjnë me publikimin e dokumenteve”.
Tutje, Dobra tha se Komunat janë duke u penalizuar jo vetëm në matjen për Grantin e Performancës nga MAPL, por edhe në të gjitha matjet e OJQ-ve, nga Auditorët e Jashtëm, mediat dhe në secilin dimension tjetër që ka të bëjë me transparencën komunale.
Ai tha se Qeveria asnjëherë nuk është marrë me këtë problem.
Kryesuesi i Kolegjiumit për Komunikimin me Publikun tha se zyrtarët e ngarkuar për publikimin e dokumenteve, kanë përgjegjshmëri të lartë në mirëmbajtjen e tyre dhe fal përkushtimit të tyre, shumica e komunave në vlerësimet që iu bëhen, sikurse nga niveli qendror për grant të performancës, ashtu edhe nga shoqëria civile e mediat, “kanë avancim shumë të theksuar në transparencë, sidomos pas unifikimit të ueb faqeve me programin WordPress, por tani pa fajin e tyre, Komunat në Republikën e Kosovës do të penalizohen në matjen e performancës”.