Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Durrës, ku theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit për Shqipërinë dhe procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Ai përmendi se këto zgjedhje janë aq të rëndësishme sa ato të vitit 1992, kur vendi hyri në një periudhë të re pas rënies së sistemit komunist dhe fillimit të pluralizmit.
“Sot ne jemi në momentin e duhur dhe në vendin e duhur, siç ishte PD në 1992. Ky është një moment historik për Shqipërinë dhe ne duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi për të siguruar një rezultat të thellë“, tha Rama.
Kryeministri foli gjithashtu për arritjet e qeverisë së tij në drejtim të reformës në drejtësi, duke përmendur se “nuk ka pasur kurrë drejtësi më parë“, referuar veçanërisht ngjarjeve të 21 janarit.
Kryeministri gjithashtu theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke thënë se kjo mund të sjellë një “buxhet ekstra” për vendin, me rreth 1 miliard euro çdo vit nga Bashkimi Evropian. Ai nënvizoi se ky është një objektiv jetik për Shqipërinë dhe se vota e 11 majit do të përcaktojë drejtimin e vendit në këtë proces.
“Ne nuk jemi këtu për të dëgjuar muzikën e kënetës, por për të ndërtuar një të ardhme europiane për Shqipërinë“, tha Rama, duke i ftuar qytetarët të mos humbasin këtë mundësi historike.Për më tepër, ai premtoi se gjatë mandatit të katërt do të realizohen projekte infrastrukturore të rëndësishme, si ndërtimi i rrugës Thumanë-Krujë, një premtim i vjetër që tani do të realizohet për banorët e kësaj zone.