Lajme

Zgjedhjet e 28 dhjetorit, Haradinaj thirrje mërgatës: Mos e lejoni asnjë propagandë që e dëmton familjen

I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, një ditë pas shpalljes së datës për zgjedhjet e parakohshme, iu është drejtuar mërgatës.

Haradinaj kërkon mbështetjen e diasporës, duke thënë se pushimet e ardhshme, përveç vizitave tek familjet, do të kenë edhe një obligim tjetër.

“Pushimet e ardhshme, që i bie të jenë për festat e fundvitit, përveç vizitave në familjet tuaja, do ta kemi një angazhim tjetër që pretendon ta kthejë Kosovën në binarët e normalitetit. Ne duam që Kosova e ëndrrave tona të jetësohet. Ne duam që vlera e lirisë të respektohet dhe të nderohen partnerët ndërkombëtarë në secilin nivel të sigurisë e të zhvillimit”, tha ai.

Haradinaj, duke e quajtur “lëmoshë” ndihmën prej 100 eurosh të qeverisë Kurti, thekson se AAK kërkon angazhim institucional.

“Ne s’duam lëmoshë financiare prej 100 eurosh, që ministri e kryeministri t’ia vazhdojnë pushtetin vetes për një javë apo një muaj. Ne duam angazhim institucional, që familjet tona ta ndjejnë dorën e shtetit. Bisedoni e argumentoni mes vete, në familjet tuaja, dhe vendosni për të ardhmen”, shkroi ai në rrjetin e tij social Facebook.

“Mos e lejoni asnjë propagandë që e dëmton familjen”, përfundoi ai.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button