Dy prurjet më të reja, Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha janë prezantuar si lojtarë të Kombëtares së Kosovës përmes një video-klipi të publikuar nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Ata e shprehën gëzimin e tyre që u janë bashkuar Dardanëve, ndërsa e shprehën krenarinë që do ta veshin fanellën e kaltër,
“Unë jam Leon Avdullahu, lojtari më i ri i Kombëtares së Kosovës. Zemra më ka thënë me përfaqësu vendin tim, Kosovën. Për vendin tim, zemrën në fushë e lë. Forca Kosova”, thotë në këtë video të shkurtër futbollisti i Hoffenheimit, i cili hoqi dorë nga mundësia për ta përfaqësuar Zvicrën vetëm për t’i mbrojtur ngjyrat e vendit të prindërve të tij, ndonëse u lind e u rrit në shtetin Helvetik.
“Unë jam Veldin Hoxha, lojtari më i ri i Kombëtares së Kosovës. Është një nder ta përfaqësoj vendin tim, Kosovën. Forca Kosova”, tha lojtari i Rubin Kazanit, i cili e shprehu nderin për ta përfaqësuar Kosovën.
Kombëtarja u grumbullua dje në qendrën nacionale në Hajvali për t’u përgatitur për dy ndeshjet e shtatorit, të vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2026.
Fillimisht, Vedat Muriqi me shokë do të luajnë me Zvicrën në udhëtim këtë të premte, kurse të hënën tjetër do t’i bëjnë konak Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.