Ish-deputeti i Nisma Socialdemokrate, Zafir Berisha ka hedhur akuza të rënda në drejtim të Gjykatës Speciale, duke eskaluar në fjalor të rëndë ndaj gazetarit Ermal Panduri.
Ai ka thënë se Gjykata e Hagës me dëshmitarë të fshehur që nuk kanë fytyrë janë në ofanzivë për të njëllosur UÇK-së.
Për më tepër, ai ka ofenduar gazetarin e Rtv Dukagjinit, Ermal Panduri, që sipas tij po fton në emision “dëshmitarë skizofrenë” dhe “dhunues të fëmijëve”, duke iu referuar dëshmitarit të vetëdeklaruar, Imer Imeri, si dhe avokatit Gazmend Halilaj, që më parë ishte i akuzuar për rastin e 16 vjeçares nga Drenasi. Të dy këta ishin të ftuar mbrëmë në emisionin “Debat Plus”.
“Gjykata e Hagës me dëshmitar të fshehur, që nuk kanë fytyrë, si dhe P…… Dugagjinit me dëshmitar skizofrena dhe dhunues të fëmijëve, në ofensivë për të njollosur UÇK-së. Më vetëdije apo pa të, po i shërbejnë përpjekjeve serbe për ta kriminalizuar luftën e UÇK-së dhe për ta barazuar atë me luftën gjenocidale të Serbisë.UÇK-së ka përballuar dhe ka dalur fitimtar para shumë sfidave dhe betejave edhe më të rënda, do të dalën fitimtare edhe në këtë betejë”, ka thënë Berisha.
“Ish-krerët e UÇK-së janë të pafajshëm që nga dita e parë që janë arrestuar, mirëpo përpjekjet e Prokurorisë Speciale dhe sojit të panduroviqave për t’i njollosur ish-krerët dhe luftën e UÇK-së do të jenë të mëdha, prandaj këtë përballje e quaj beteja e fundit kundër Serbisë dhe propagandës së saj kundër shtetit të Kosovës, që rrënjët i ka te lufta e lavdishme e UÇK”, ka shtuar më tutje Berisha.
Ka më shumë se katër ditë prej nisjes së seancës në Speciale ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndonëse sot konsiderohej ditë e rëndësishme, pasi që në sallë do të paraqitej dëshmitari i parë, që është një grua, Dhomat e Specializuara vendosën që të censurojnë të gjitha fjalët që ajo tha para Trupit Gjykues, prokurorisë, mbrojtjes e të akuzuarve, shkruan lajmi.net.
Në fakt, “mbyllja hermetike” e Speciales është ajo që e ka karakterizuar këtë institucion të sigurisë që nga nisja e punës së saj. Madje, akuza për këtë sjellje, ndaj Speciales kanë pasur edhe avokatët mbrojtës.
Këta të fundit, disa herë janë ankuar se Prokuroria e Specializuar ka “fshehur” materiale shfajësuese, e më pas edhe materialet e tjera që do të duheshin të zbuloheshin në kohë për të mundësuar mbrojtje efektive.
Për më tepër, Prokuroria e Specializuar pretendonte që gjyqin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ta niste në mes të vitit 2021, ndonëse avokatët thonin se një gjë e tillë është përtej absurdes.