Xherdan Shaqiri, sot zyrtarisht i ka “varur” këpucët me kombëtaren e Zvicrës.
Ai njoftoi përmes rrjeteve sociale për vendimin e tij për t’u pensionuar nga kombëtarja helvetike.
Ky veprim i Shaqirit shkaktoi reagime të mëdha në opinionin futbolldashës.
E nuk kishte si të mungonte ai i kapitenit Granit Xhaka.
Xhaka shprehu mirënjohje për kontributin e “Messit të Alpeve” duke e falënderuar.
“‘Danke fur Alles’ apo në shqip ‘Faleminderit për gjithçka’”, shkroi Xhaka në postimin e tij në Instastory.
Dyshja me prejardhje nga Kosova, kanë kujtime të bukura gjatë paraqitjeve në fushë duke u bërë shpesh edhe protagonist.
Një nga momentet e paharruara që vlen të ceket është ndeshja kundër Serbisë në Kampionatin Botëror që u zhvillua në vitin 2018-të në Rusi, ku të dy realizuan në fitoren e Zvicrës.
Ata festuan në mënyrë të veçantë duke bërë me duar simbolin e “Shqiponjës dykrenare”.
Xherdan Shaqiri i luajti 125 ndeshje për Zvicrën.